Shtresa Pluhuri

Shiritat e mbushur me qymyr dhe punimet që po bëhen në një vend ku po vazhdon zgjerimi i minierës, po e “gëlltisin” peisazhin dhe shtëpitë përreth, të cilat duket se shumë shpejt do të bien në greminë. Një pamje sa tmerruese aq edhe emocionuese, që tregon urinë e madhe për prodhimin e energjisë. Madje edhe gjërat absolutisht të tmerrshme janë disi magjepsëse dhe na bëjnë ta ngrijmë shikimin drejt tyre. Kjo minierë e hapur gjigante është një nga më të mëdhatë në Evropë dhe e pesta në botë për nga rezervat e qymyrit.

Në një ditë të zymtë pranverore ne ecim rreth gropës së hapur duke kërkuar një shkollë të vjetër, e përmendur rastësisht një ditë më parë gjatë një bisede me banorët e fshatit Hade e Re. Kjo është e vetmja ndërtesë që i ngjan një objekti të dikurshëm administrativ. Shkolla e vetme në fshatin në zhdukje të Hades së Vjetër. Nga jashtë duket në gjendje të rregullt, e pastër dhe e ndërtuar mirë, por nga brenda duket dëshpëruese, e vetmuar dhe e trishtuar. Dikur ishte ishull i jetës dhe gjallërisë me më shumë se një mijë nxënës që mësonin në këto klasa. Tani kanë mbetur vetëm 50 prej tyre. Kjo për shkak të programit të qeverisë për zhvendosjen e banorëve të këtij fshati, që ka filluar vite më parë, por nuk ka përfunduar kurrë.

Dior Preniqi është gjashtë vjeç. Paravarësisht moshës së tij, ai vijon mësimin bashkë me nxënësit e klasës së tretë në shkollën e shkatërruar fillore të Hades.

“Në momentin kur është dashur ta dërgoj në shkollë, e kam kuptuar që nuk është asnjë moshatar i tij, që nënkuptonte se ai do të ishte i vetëm. Aq shumë u shqetësova, sa që fillova të qaj”, thotë Leda, nëna e Diorit. “Por ai i ka bërë tani disa shokë dhe mua më vjen mirë që i vijon mësimet në klasën e tretë. Tani atij i duken detyrat e moshës së tij tepër të lehta dhe kërkon detyra më të vështira”, shprehet ajo.

Ishulli i fëmijëve të harruar

Besa Caka është mësuese e anglishtës në shkollën e Hades së Vjetër. Ajo jeton në Prishtinë dhe duhet ta shfrytëzojë transportin çdo ditë. Fatkeqësisht, nuk ka lidhje të rregull të transportit publik, gjë që e bën edhe më të gjatë rrugën e saj për në punë.

"Është sikur të jetosh në vullkan. Asnjëherë nuk e di çfarë të pret dita e re"

Kosova me të vërtetë është një vend i jashtëzakonshëm: Ibrahim Rugova konsiderohet si hero kombëtar, por kujtimi për punën e tij si mësues është buzë zhdukjes. Në fasadën e shkollës nuk ka madje as pllakë përkujtimore për të.

Besa jep mësim në këtë shkollë për më shumë se një dekadë dhe vëren se numri i nxënësve po bie nga viti në vit. Ajo nuk beson se kjo gjendje mund të përmirësohet...”Sepse ata që kanë mbetur do të duhet t’i braktisin shtëpitë e tyre herët apo vonë, sepse gërmimet po ndodhin shumë afër”. Si një oqean që e shkatërron bregun.

“Mua më pëlqen të jep mësim këtu. Për më tepër, është vend historik. Kjo është shkolla ku presidenti i parë Ibrahim Rugova u ka mësuar nxënësve gjuhën shqipe.”

Pavarësisht se ngjyra e zezë, e kaftë dhe e hirtë janë kudo përreth tyre, nxënësit e klasës së parë dhe të tretë, Diori dhe shoqja e tij e ngushtë Mirjona në vizatimet e tyre pasqyrojnë optimizëm duke pikturuar hapësira të gjelbërta, shtëpi dhe njerëz. Edhe pse janë të vegjël, ata nuk kanë kohë për të pritur momentin e “Pranverës së Heshtur”. Në të vërtetë, askush nuk ka. Ata e kanë jetën përpara për të jetuar dhe për këtë, duhet të jenë në gjendje të marrin frymë.

Në fakt, qeveria i ka paralajmëruar banorët kohë pas kohe se për shkak të buxhetit të shkurtuar dhe numrit më të vogël të nxënësve që po vijojnë mësimet, shkolla mund të mbyllet. Por askush nuk e parashikon se kur do të ndodhë kjo.

“Është sikur të jetosh në vullkan. Asnjëherë nuk e di çfarë do të sjellë dita e re”, thotë njëra nga mësueset. Vizatimet e fëmijëve, artizanatet e punuara me gunga të vendosura në tavolina dhe muri me ngjyrë qëështë lënë pas dore, janë “banorët” e kësaj shkolle të vogël, që bëjnë përpjekje të mëdha për ta mbajtur këtë vend të rehatshëm, të dëshirueshëm për ta vizituar, të ndritshëm dhe të dashur. Megjithatë ndjenja e shkatërrimit nuk largohet dot. Është vështirë të kujdesesh për një vend në të cilin në çdo moment mund të të kërkohet ta braktisësh pa kthim.

Lëviz nëpër kursor për t’a shikuar shkollën

OK
Cool

Shkolla e vjetër e Hades

simple
Compatible
Compatible
Compatible
Compatible
Compatible
Compatible
Compatible

“Braktisët shpresën, ju që hytë këtu”

Ishte viti 2004 kur filloi sfida e Hades. Të vendosur mu në tokat e çmueshme të minierës më të madhe të linjitit në Evropë, banorët e Hadës u përballën me problem serioz, kur nuk patën alternativë tjetër përveç se të largohen. Ndërsa qeveria e Kosovës po bënte përpjekje të rregullonte reduktimet e energjisë elektrike, i kishte kërkuar Bankës Botërore që të bënte një plan për zhvendosje, por nuk kishte komunikuar me banorët se kur, ku dhe si do të largoheshin ata.

Si rezultat, 158 familje që jetonin afër minierës u larguan dhe u risistemuan për shkak të rrezikut nga rrëshqitja e dheut. Atyre u erdhi njoftimi për këtë vetëm një javë përpara. Rreth 50 familjeve iu bë zgjidhje e përkohshme banimi në dy objekte të shkatërruara në qytetin e afërt të Obiliqit, pesë milje larg Prishtinës. Dymbëdhjetë vjet pas, ato ende jetojnë aty.

Dajana Berisha, drejtoreshë ekzekutive e Forumit për Iniciativë Qytetare (FIQ) thotë se pjesë të “çliruara” të tokës nuk u shfrytëzuan kurrë për termocentral, madje askush nuk e di nëse aty ka linjit.

Shumë familje po vazhdojnë të largohen, disa të tjera po e shqyrtojnë këtë mundësi, pavarësisht dëshirës së fuqishme për të qëndruar në shtëpitë që u përkasin. Rreth 60 familje vazhdojnë të qëndrojnë në fshatin që po vdes. Nuk kanë rregullisht energji elektrike dhe ujë të pijshëm, por ajo që i mban aty është shpresa.

Compatible
Fjolla: "Nganjëherë ne ndjehemi tepër të lodhura"

Albiona dhe Fjolla, dy kushërira, që të dyja në klasën e nëntë, ndajnë me ne planet për shkollimin e mesëm dhe jetën e ardhshme universitare. Kur pyeten për shokët e shoqet që u larguan, të dyja përkulin kokën dhe thonë: “Na mungojnë shumë”, duke rrudhur buzët.

Të jetosh në rrezik shpërthimi ka pasoja. Albiona thotë se shqetësimi i tyre madhor është migrimi, jo aq shumë aroma e padurueshme, apo zhurma nga vinçat, kamionët dhe shiritat e sheshtë që lëvizin shtatë ditë në javë. Vajza me sy të pikëlluar thotë “[…] nuk ka pasur investime në fshatin tonë, duke menduar se të gjithë ne do të ikim dhe nuk ia vlen tëinvestohet”. Fjolla vazhdon: “Ne flasim me prindërit tanë për problemet e përditshme, por ne nuk mund të gjejmë asnjë zgjidhje për fshatin tonë. […] ndotja vërehet në përmasa mjaft të mëdha tani. […] Edhe nëse ne ikim dhe ndryshojmë vendbanimin, ne do të ndjehemi keq, sepse nuk mund të jemi bashkë më shokët e shoqet e klasës, duhet të ndahemi nga ata”.

Nëse ato e braktisin këtë vend, mund të gjejnë të ardhme më të mirë, por lidhjet emocionale mund të jenë shumë të forta; nëse qëndrojnë, ato duhet të jetojnë dita ditës me pluhurin e rrezikshëm që provokon sëmundje të ndryshme.

Banorët ankohen se strategjia e zhvendosjes është shoqëruar me plot tensione dhe kaos, duke mos iu përgjigur nevojave të njerëzve, natyrisht duke mos i përmbushur premtimet. Megjithatë vala e dytë e zhvendosjes përfshiu hapësirat rreth minierave në vitin 2009.

Tetëqind parcela të tokës u premtuan atëbotë, por deri tani vetëm njëmbëdhjetë familje janë larguar nga Hadja në Haden e Re ose fshatin Shkabaj*. Jo shumë gjëra kanë ndryshuar që nga arritja e familjeve të para: atyre u mungon higjiena e duhur, uji dhe energjia elektrike. Në mungesë të infrastrukturës themelore, nuk ka asnjë supermarket, as varreza, as xhami, e as shkollë të premtuar shumë kohë më parë. Dhe të jemi të sinqertë, shumë vite pas Shkabaj duket më shumë si një zonë me zhvendosje të zakonshme dhe shtëpi të bukura e moderne, se sa si fshat i vërtetë. Derisa kushtet e jetës në Haden e Vjetër përkeqësohen, fshati i ngjan hijes së vet në formën e vjetër e të bukur.

Vehbiu dhe Xhevati, dy vëllezër që kanë lindur në Haden e Vjetër kanë lëvizur në Haden e Re para dy vitesh. Vehbiu, më i riu, ende punon si teknik në shkollën e fshatit të tij të lindjes. “Ta braktisësh vendin tënd është e vështirë, por e kemi bërë në emër të interesit kombëtar”, thotë ai. Hadja ekziston për më shumë se 100 vjet, pavarësisht historisë së pasur dhe perspektivës së madhe, me zhvendosjen e bërë Hadja ka filluar të shuhet. Tani, dy vjet pas zhvendosjes dhe banimit në një banesë me qira në Obiliq, vëllezërit thonë se kanë filluar të ndjehen aty si në shtëpinë e tyre.

Sporti

Mëngjesin e parë të hulumtimit tonë në Kosovë, ne nuk kishim një qëllim specific apo drejtim, vetëm vazhduam të ecnim në drejtimin e parë që mendonim se ishte i duhuri. Ishte fillimi i një jave shume intenzive me intervista prekëse, që na bënë neve të qëndrojmë ulur, të heshtur dhe të rrënqethur në disa dhoma dhe zyra.

Është ftohtë, por dielli na ngrohë shpejt, derisa ne po ecnim përreth Obiliqit dhe ndalemi tek një fushë e vogël sportive, një stadium lokal me tribuna njëdrejtimëshe. Ky është stadiumi Agron Rama, që i përket klubit futbollistik KEK të Superligës Kosovare.

Ndeshja pritej të fillonte. Derisa të dy ekipet ngroheshin në fushë, ne kishim ca minuta për të diskutuar me kapitenin e ekipit lokal, Torvioll Stullqaku. Ai është lojtar profesionist i futbollit. Ai luan futboll për 11 vjet, trajnimet zhvillohen çdo ditë, nganjëherë dy herë në ditë, vazhdimisht në stadiumin Agron Rama.

Çka është e veçanta e këtij vendi, do të pyesnit? Ky stadium gjendet në hijen e termocentralit Kosova B, përkatësisht 1.6 km larg tij. Tifozët, derisa shikojnë ndeshjen, gjithashtu kanë kënaqësinë të shohin avullin e përhimtë që del nga aty.

Sportet profesionale janë aktivitet i rëndë fizik, përfshijnë frymëmarrje të shpeshta dhe ne nuk mund të mos e pyesnim Torviollin dhe ekipin e tij se si ndiheshin.

Torviolli është 21 vjeçar dhe atij i kujtohet se frymëmarrjen e tij nuk e pengonte asgjë kur ishte më i ri. Qëkur ekipi ka filluar të shkojë për trajnime në Brezovicë apo Durrës, në ato vende të bekuara siç janë pyjet apo deti,e vërejnë kthimin në vendlindje.

Një herë në gjashtë muaj çdo sportist profesionist i nënshtrohet një testi mjekësor për t’i kontrolluar eshtrat dhe muskujt. Ky është një obligim për të gjitha klubet, por asnjëri nga futbollistët nuk kanë bërë radiografi. “Më mirë mos t’a bëjmë fare”, buzëqeshet Torviolli.

Sportisti i ridhe premtues ëndërron që të dalë jashtë vendit, por mban copat e fundit të shpresës për përmirësim të gjendjes në vendlindjen e tij

Torviolli ka marrë pjesë aktive në protestat kundër perspektivës së termocentralit Kosova C në vitin 2013 dhe i vie keq që publiku është ende në gjumë. Së paku tri protesta janë organizuar deri në fillim të vitit 2016, por nuk kishte shumë pjesëmarrës.

Torviolli e mbyll bisedën me ne me optimizëm. “Jeni të mirëseardhur në çdo kohë, shpresoj në të ardhmën të vini në mjedis më të pastër, […] dhe në vend të termocentralit të ketë gjelbërim që do t’i tërhiqte njerëzit për t’i vizituar”. Ne vendosëm të rrijmë edhe pak dhe ta shikojmë ndeshjen. Tribuna ku u ulëm ne, ishte përballë termocentralit. Përbindëshi sureal urban sapo ka liruar edhe një pjesë të avullit dhe tymit.

“Ëndrra ime është të jetoj larg nga këtu, por nëse përmirësohet gjendja në të ardhmën, pse të mos jetoj këtu. Por nuk ka të ardhme për fëmijët tanë me këtë ajër të ndotur, që sjell vetëm sëmundje”.

Jo më qymyr

Që nga viti 2001, Banka Botërore është angazhuar aktivisht në formësimin e termocentraleve energjetike të Kosovës. Por është duke luajtur me standarde të dyfishta në këtë çështje. Në njërën anë “Jo më qymyr”, e në anën tjetër Banka Botërore po e lë të hapur derën për të ofruar fonde për termocentralet e linjitit. Janë një varg kriteresh që duhet të plotësohen nga vendi në mënyrë që Banka Botërore të jap kredi. Dhe në rastin e Kosovës, standardet e zhvendosjes së pavullnetshme nuk kanë qenë në përputhje me standardet e veprimit të Bankës Botërore. Dhe sërish, Banka refuzon ta pranojë këtë. Për këtë arsye, KOSID-i ka angazhuar një ekspert ndërkombëtar, Dr. Ted Downey. Raporti i tij është publikuar tashmë.

Lëviz majtas dhe djathtas për ta zbuluar lokacionin e termocentralit të ardhshëm Kosova C

OK
« »

Pavarësisht rrëmujës së krijuar me zgjerimin e minierës, qeveria tani dëshiron të ndërtojë një termocentral tjetër me kapacitet 500 Megawatt, për çka është gjetur edhe investitori. Propozimi është përcjellur me supozime dhe aranzhime të shumta e të diskutueshme. Në tender ka qenë vetëm një ofertues, CountourGlobal me bazë në Nju Jork, i cili çuditërisht është pranuar menjëherë. Termocentrali u ri do të varet nga furnizimi me linjit nga një fushë e re minerare, që përfshin rreth 15,000 hektarë, ku bën pjesë Hadja e Vjetër dhe disa fshatra tjera, me rreth 7,000 banorë.

IEEFA, një organizatë hulumtuese amerikane në bashkëpunim me Konsorciumin e Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) ka hulumtuar ndikimin e termocentralit të ri të propozuar Kosova e Re. Në raportin e tyre ‘Termocentrali i ri i propozuar i Kosovës: Një ngarkesë e panevojshme më një çmim të panevojshëm’(ENG), ata përmendin se kostoja reale do të ishte 4.169 miliardë euro. Banka Botërore ose institucionet tjera ndërkombëtare duhet të zotojnë ndihma të mëdha – më shumë se sa ishin deklaruar fillimisht 3 miliardë dollarë – për të ulur normën e interesit për termocentralin. Ndihmat duhet të shtohen edhe më shumë për ta bërë termocentralin me qymyr të përshtatshëm për kosovarët. Planet e mëhershme ishin mbështetur në supozimet e rritjes ekonomike dhe energjetike të cilat dështuan të realizohen; në qoftë se termocentrali i ri nuk funksionon mirë, energjia vetëm sa do të shtrenjtohet për popullsinë. Është shumë e mundur që energjia për amvisëri të shtrenjtohet për 50 përqind, sipas Tom Sanzillo, drejtor i financave në IEEFA, duke e bërë çmimin dyfish më të lartë se mesatarja e Evropës.

Komuna e Obiliqit punon së bashku me KEK-un

Në ligjin për mjedisin, është një dispozitë që e bën palën përgjegjëse për ndotjen e mjedisit të paguajë për dëmin që i shkakton mjedisit natyror. Në realitetin kosovar, është kthyer nëtë kundërtën, ku popullata paguan për dëmin. Mesatarja që e paguan një kosovar për energji elektrike është 12.9% nga të hyrat e tij vjetore; përata që kanë të hyra të ulta kah mesatarja është 18%, ndërsa për ata që kanë të ardhura shumë të ulta është 40%, ka gjetur raporti i IEEFA-s. Kësisoji energjia bëhet luks në vend se produkt i thjeshtë.

Të dy termocentralet janë të vendosura në komunën e Obiliqit. Kryetari, Xhafer Gashi, që jeton me famijen e tij në një zonë të ndotur, thotë se komuna ka një bashkëpunim të sinqertë me KEK-un, edhe pse KEK-u menaxhohet nga Zyra e Rregullatorit për Energji, ose me fjalë të tjera, nga vet qeveria qëndrore.

Komuna punon në bashkëpunim të ngushtë me Korporatën Energjetike, thotë kryetari. “Ne gjithnjë i kemi bashkuar përpjekjet me KEK-un. Ndonjëherë ne i përdorim pajisjet e KEK-it për të pastruar deponitë, si dhe bashkëpunojmë sa i përket kontrollave sistematike mjekësore për të gjithë nxënësit këtu në Obiliq.”

Vitin e kaluar komuna e Obiliqit iu drejtua KEK-ut me dy kërkesa. Një prej të cilave ishte të investonte 300 000 euro në parkingun e ndërtesës, në mbjelljen e drunjëve, të mbështes aktivitetet sportive dhe kulturore. Kërkesa tjetër kishte të bënte me ndërtimin e dy rrugëve, njërës në Hade në vlerë 200 000 euro, tjetra nga Lajthishta në Shipitol që do të kushtonte 500 000 euro.

Kryetari gjithashtu përmend se ata tani janë në proces ligjor për ta njohur Obiliqin si zonë të veçantë. Ligji është inicuar nga subjekti politik Lëvizja për Bashkim. E ka kaluar leximin e parë dhe tani po trajtohet nga komisionet parlamentare.

Përfundimisht, z.Gashi na ka siguruar se asnjë vendim nuk do të ndërmerret pa pëlqimin paraprak të publikut. “Ne konsiderojmë se pas debateve me qytetarë, mund të presim një marrëveshje me investitorin që të merren parasysh kërkesat e qytetarëve, e ne gjithashtu do të këmbëngulim që 90% e punëtorëve të jenë nga Obiliqi. Në duam që termocentrali [Kosova C] të jetë me ekologjik, ne brengosemi për mbrojtjen e mjedisit”, shprehet ai.

Vet qytetarët e konfirmojnë se kanë qenë të ftuar në diskutimet publike dhe janë informuar disa herë paraprakisht për mundësitë që zëri i tyre të dëgjohet.

“A e shihni këtë tavolinë? Kur jam nisur nga shtëpia në mëngjes, ka pasur dy gisht pluhur këtu…”

Jeta në hijën e termocentralit

Për pothuajse gjysmë shekulli, Vesel dhe Bahtije Kastrati jetojnë vetëm në anën tjetër të rrugës nga termocentrali. Është ditë e vranët dhe me shi, ne ftohemi që t’iu bashkohemi atyre në dhomën e ndenjës dhe na ofrohet çaj i zi i ngrohtë. Është një gjest i zakonshëm mikpritës për mysafirët, ndonëse ne jemi të huaj. Nxehtësia e çajit me shpejtësi shpërndahet në trup dhe brenda pak minutash na krijon një ndenjë të ngrohtë. Fatkeqësisht kjo nuk zgjat, për pak momente, askush nuk mund të qëndronte në këmbë në dyshemen e ftohtë. Është tepër ftohtë në mjediset e kësaj familje.

Pavarësisht se janë aq afër prodhuesit të energjisë dhe kanë një pamje të paharrueshme nga dritaret e dhomës së tyre, ëiftit i duhet të ngrohet me dru dhe thëngjill. E tërë ngrohja qëndrore e termocentralit shkon në Prishtinë. Pavarësisht kësaj, ata paguajnë përafërsisht 50 euro për energjinë e reduktuar dhe rreth 500 euro për gjashtë muaj thëngjill dhe dru për ngrohje. Gjatë verës ata e shfrytëzojnë gazin për gatimin e ushqimit.

"Me atë pagë i kam rritur shtatë fëmijë, tre prej të cilëve jetojnë jashtë me familje. Nuk ka gjasa të gjesh punë këtu"

Veseli ka punuar për KEK-un në gropën minerare të Bardhit (apo në Hade) për tridhjetë vjet. Ai e pranon se nuk ka qenë e lehtë sepse nuk kishte pajisje mekanike të zhvilluara, por ai e kujton atë periudhë të jetës si shumë të mirë.

Ai kishte pësuar dy herë sulm në zemër në vitin 2004, por nuk e kishte vërejtur fare. Veseli mendon se kjo është pasojë e kushteve të rënda të punës, stresit dhe mjedisit poashtu.

Të dy pajtohen se ka pasur edhe më shumë pluhur në të kaluarën. Arsyeja mund të jenë filterat e ri të vendosur brenda termocentraleve. Megjithatë, Veseli dhe Bahtija dyshojnë se filterët fiken gjatë natës. Zhurma rritet dhe duket qartë se më shumë avull del jashtë.

Rinora Gojani, hulumtuese e lartë në INDEP (Instituti për Zhvillim të Politikave) shpjegon se filterët e zvogëlojnë kapacitetin e prodhimit të energjisë që mund të vendoset në rrjet, kështu që për të siguruar më shumë energji elektrike, është shumë e mundur që filterët fikën. Veseli ka pirë duhan gjatë tërë jetës, ndërsa Bahtija as që e ka provuar. Mjekët i kanë ekzaminuar të dy dhe përfundimi ka qenë se mushkëritë e tyre janë pothuajse në gjendje të njejtë.

Kosova padyshim është një vend ku pihet duhani dhe shkencëtarisht është vështirëtë dallohen efektet shëndetësore nga ndotja e mjedisit dhe nga pirja e duhanit. Megjithatë ka pasur një studim krahasues për komunat e Prishtinës dhe Prizrenit: të dyja kanë pothuajse numër të njejtë të banorëve (sipas regjistrimit të popullsisë së vitit 2011), shprehia e pirjes së duhanit është në nivel të njejtë, por shkalla e incidencës së kancerit të mushkërivë në Prishtinëështë dy herë më e lartë (35 raste të reja më 2010) se sa në zonën e Prizrenit (18 raste të reja).

Marrë parasysh se Veseli ka punuar për më shumë se tri dekada për kompaninë dhe lokacionin ku ndodhet shtëpia e tyre, mu afër termocentralit, është shqetësuese dhe e pakuptueshme se si familja e tij nuk përfiton nga sistemi qëndror i ngrohjes, si shumë të tjerë që jetojnë afër termocentraleve.

Ana financiare dhe ekonomike e marrëveshjes nuk është shqetësimi i vetëm. Kostoja e vërtetë e jashtme përfshin shëndetësinë, mjedisin dhe koston e infrastrukturës – secila nga këto komponente me kohë qëndron më keq. Dhe këto janë ngarkesa për qytetarët që duhet t’i bartin gjatë tërë kohës.

Shëndeti

Ndotja vjen nga prodhimi i energjisë nga linjiti, teknologjisë së vjetëruar, keqpërdorimit të energjisë si dhe mungesës së alternativave reale, duke e bërë zonën më të ndotur në jug-perëndim. Shkakton 835 vdekje të parakohshme cdo vit, ndërsa nga sëmundjet malinje te meshkujt në Kosovë prin kanceri i mushkërive (11.8%).

Raporti Vjetor i Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës i vitit 2011 tregon se sëmundjet e sistemit respirator në vend arrijnëshkallën e patologjisë 22.9%. 53% e fëmijëve të moshës një deri në pesë vjeç janë të diagnostikuar me patologji respiratore, ndërsa 50% e tyre kërkojnë ndihmë në spitalet e Kosovës.

Në repartet e spitaleve të mushkërive në Kosovë, 21% e pacientëve të të gjitha sëmundjeve malinje janë diagnostikuar dhe trajtuar për kancer të mushkërive. Për më tepër në Qendrën Klinike Universitare si shërbim terciar shëndetësor, kanceri i mushkërive është i pranishëm 40.7%.

Sipas një raporti të lëshuar në vitin 2011 nga Instituti i Shëndetit Publik në Kosovë, tre shkaktarët kryesor të vdekjeve në Kosovë janë kushtet e jetesës, cilësia e dobët e ujit të pijshëm dhe ndotja e mjedisit. Gjithashtu gjatë vitit 2011, një raport i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i titulluar sektori energjetik, qarkullimi dhe prodhimi industrial, cek se ndotësit kyesor energjetik janë termocentralet me bazë qymyrin, që lirojnë më shumë se 2.5 ton pluhur çdo orë.

Të dhënat e mbledhura ndërmjet vitit 2005 dhe 2010 tregojnë se rreth 30% e punëtorëve të KEK-ut vuajnë nga sëmundjet respiratore, 6% nga sëmundjet kardiovaskulare, thotë dr. Xhevdet Pllana nga Instituti i Mjekësisë së Punës në Obiliq.

OJQ “Mbaje Gjelbërt”

Dy studentë, Gëzim Pllana dhe Guxim Klinaku, kanë themeluar një OJQ “Mbaje Gjelbërt” (në anglisht “Keep it Green”) në dhjetor 2015 për të ndihmuar në përçimin e mesazheve mjedisore tek publiku i gjerë, si dhe për ngritur vetëdijen kryesisht përmes artit. Të dy ata jetojnë në Obiliq, prandaj e dijnë shumë mirë se çfarë ndodhë në komunën e tyre. Për momentin organizata i ka shtatë anëtarë, që të gjithë në fillim të viteve 20-të, që kontribuojnë në aktivitetet e organizatës që ka filluar punën rishtas.

“Ideja krysore për themelimin e kësaj OJQ-je ishte të organizojmë festivalin e filmit të gjelbërt në oborrin e KEK-ut. Ne menduam që ta bënim këtu posaçërisht për faktin se sipas statistikave të Bankës Botërore, është qyteti më i ndotur në Evropë […], ku 33% e banorëve vuajnë nga problemet e frymëmarrjes. Ne menduam që të formojmë një organizatë që do të merrej me mbrojtjen e mjedisit dhe mbrojtjen e jetës së banorëve”, thotë Guximi.

Gëzimi pastaj vazhdon “… qytetarët e këtij qyteti kanë më së shumti ankesa lidhur me ajrin dhe mjedisin në të cilin jetojnë. Qëllimi kryesor për ne ishte që të bëhemi zëri i tyre, që dëshpërimi i tyre t’u përcillet autoriteteve relevante, të cilat duhet të angazhohen në mbrojtjen e mjedisit. […] derisa ka pluhur në Obiliq, organizatat si kjo e jona do të funksionojnë”

Djemtë e rinj dhe që premtojnë për të ardhmën, thonë se nuk është vetëm ndotja e mjedisit, por është rreziku i përhershëm me të cilin po përballen banorët, siç ishte shpërthimi në Kosovën A me 2015, kur thjesht xhamat e dritareve fluturuan, ndërsa shtëpitë që ishin afër shpërthimit u shkatërruan tërësisht.

The open green area where Kosovo C is supposed to be built

Me sa duket, qytetarët e Obiliqit nuk janë të lidhur me sistemin qëndror të ngrohjes. Energjia e prodhuar në termocentrale shkon drejtpërdrejt për komunën e Prishtinës. “[…] Kjo është më e keqja. Ne, banorët që jetojmë këtu, që jemi rritur këtu dhe kemi vuajtur më së shumti nga ndotja e mjedisit, nuk marrim ngrohje dhe unë besoj që duhet të jetë e kundërta – ne duhet të jemi të parët që duhet ta kishim atë e pastaj të tjerët”, ankohet Gëzimi. Ndjenjat e tij janë më se të kuptueshme, familja e tij duhet të ngrohet me dru.

Fatmirësisht, ai jeton në shtëpi private, por banorët e Plemetinit (një zonë shumë afër dhe e ndotur ku jetojnë pakicat) janë të detyruar që të ndezin zjarrin në apartamentet e tyre. Makinera e errët që të gëlltet, është ende larg së realizuari, por sapo të jetë gati dhe të zgjerohet, fqinjët e afërt jo vetëm që do të shqetësohen për shëndetin e tyre, por edhe për ekzistencën e vendit në të cilin kanë jetuar ndër vite. Si një teori që ka ekzistuar dikur.

"“Ne nuk kemi fonde të mjaftueshme për të ndërtuar një fabrikë recikluese të mbeturinave ose për të dhënë donacione për pastrimin e mbeturinave, por ne kemi vizion si të veprojmë përmes artit.”"

Për ne

E tëra filloi në vitin 2013, kur kuptova se njerëzit që jetonin në Prishtinë duhej të përballeshin me sasi të tmerrshme të pluhurit që vinte cdo ditë nga dy termocentrale të vjetëruara. Ata madje as nuk mund t’i vendosin rrobat jashtë dhe duhet t’i pastrojnë dritaret ëdo ditë. U pata tmerruar.

Në vitin 2014 unë e gjurmova këtëçështje më në thellësi dhe vendosa që ky rrëfim meriton të mbulohet nga këndi njerëzor, më shumë se sa nga ai politik. Pastaj i takova Annën dhe Adrianin, të cilët shpejt iu bashkuan kësaj nisme dhe së bashku vazhduam të bëjmë hulumtimin gjatë viteve 2014-2015. Ndërkohë ne vendosëm kontakt me një banor të Prishtinës, i cili me vite ishte i shqetësuar për këtë çështje dhe filluam t’i lëvizim gurtë.

Me hulumtim të mjaftueshëm dhe me një qasje të menduar mirë për mbulimin e këtij rrëfimi, ne u pranuam në programin “Reporterët në Terren” të Robert Bosch Foundation. Dhe kjo ishte mundësi reale për të përgatitur një shkrim për temën e cila vërtet na preokuponte. Kështu që ne i përvjelëm mëngët, shkuam në Kosovë në mars 2016 për të shikuar se çfarë kishin për të na thënë njerëzit që jetonin përreth termocentraleve të Kosovës.

Ne, Lukas, Anna dhe Adrian, shpresojmë se fjalët dhe pamjet që po ua sjellim do t’iu bëjnë t’i kuptoni kushtet në të cilat jetojnë njerëzit përreth termocentraleve në Kosovë.

Lexim të këndshëm,

Lukas

Credits

Lukas Rapp është fotoreporter Anna Chashchynais është gazetare Adrián Blanco është gazetar

Folës në video është Neil Baird Videoja me dron është bërë nga Tickmedia

Autore e versionit në gjuhën shqipe është Violeta Hyseni Kelmendi

Financuar nga Robert Bosch: Robert Bosch

Mund të na kontaktoni në dust@thedustlayer.com.

Disclaimer

The information contained in this website is for general information purposes only. The information is provided by The Dust Layer and while we endeavour to keep the information up to date and correct, we make no representations or warranties of any kind, express or implied, about the completeness, accuracy, reliability, suitability or availability with respect to the website or the information, products, services, or related graphics contained on the website for any purpose. Any reliance you place on such information is therefore strictly at your own risk.

In no event will we be liable for any loss or damage including without limitation, indirect or consequential loss or damage, or any loss or damage whatsoever arising from loss of data or profits arising out of, or in connection with, the use of this website.

Through this website you are able to link to other websites which are not under the control of The Dust Layer. We have no control over the nature, content and availability of those sites. The inclusion of any links does not necessarily imply a recommendation or endorse the views expressed within them.

Every effort is made to keep the website up and running smoothly. However, The Dust Layer takes no responsibility for, and will not be liable for, the website being temporarily unavailable due to technical issues beyond our control.